Meta pritet nga homologu malazez

12/07/2016 00:00

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin fqinj, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili shoqërohej prej Kryetares së Komisionit të Jashtëm, Arta Dade dhe prej Kryetarit të Grupit Parlamentar të Miqësisë, Paulin Sterkaj, u prit sot në Podgoricë nga Presidenti i Parlamentit të Malit të Zi, Darko Pajovic. 

Dy kryeparlamentarët vlerësuan cilësinë e shkëlqyer të shkëmbimeve e marrëdhënieve politike e ndërparlamentare mes dy vendeve dhe ndanë bindjen se në kuadër të proceseve integruese euro-atlantike, dy parlamentet duhet ta intensifikojnë bashkëpunimin e tyre edhe më tej.

Duke evidentuar rolin vendimtar të shqiptarëve në momente kyçe shtetformuese e integruese euro-atlantike për Malin e Zi, Meta solli në vëmendje nevojën për gjetjen e zgjidhjeve konkrete të disa kërkesave të pakicës shqiptare të Malit të Zi që lidhen me decentralizimin e pushtetit lokal në Tuz, me shfrytëzimin e resurseve natyrore për nevojat buxhetore të komunave lokale apo me ligjin e të mirave detare për Ulqinin si dhe të çështjeve që lidhen me përdorimin e simboleve kombëtare dhe gjuhës amtare shqipe.

Meta u shpreh se Shqipëria i mbështet kërkesat legjitime të pakicës shqiptare që forcojnë më tej demokracinë e Malit të Zi dhe njëkohësisht theksoi se Kuvendi i Shqipërisë është i ndjeshëm për sa i përket të drejtave e kërkesave të pakicës malazeze në Shqipëri. Në këtë kuadër, z. Meta shprehu angazhimin e tij për të mirëpritur në Kuvend një përfaqësi të kësaj pakice me vullnetin e sinqertë për t’iu përgjigjur objektivisht kërkesave e nevojave të tyre, sipas standardeve bashkëkohore evropiane.

Meta e Pajovic vlerësuan gjithashtu edhe pasuritë e përbashkëta natyrore dhe theksuan rëndësinë e projekteve të përbashkëta ndërkufitare në mbrojtje të mjedisit dhe në mbështetje të zhvillimit të paketave eko-turistike të përbashkëta.

Top Channel