“Brexit”, peticioni për referendum të dytë do të diskutohet në Parlament

12/07/2016 00:00

Një peticion, i cili bën thirrje për një referendum të dytë, do të jetë pikë diskutimi në një nga seancat e ardhshme të Parlamentit britanik. Fushata “online”, e cila u publikua në faqen e qeverisë, shënoi një numër rekord pjesëmarrësish, ku afërsisht 4 milionë njerëz përkrahën idenë e mbajtjes së një referendumi të dytë.

“Rezultati pro ‘Brexit’-it duket të ketë qenë shokues për mijëra britanikë, – shpjegon një nga nismëtarët e këtij peticioni. – Ndaj vendasit kërkojnë një mundësi të dytë për të shprehur vullnetin e tyre me votë”.

Por vendimi i Komisionit të Dhomës së Ulët të Parlamentit britanik për diskutimin e këtij peticioni nuk tregon qëndrim mbështetës ndaj tij. Një nga zëdhënësit u shpreh se, arsyeja kryesore që e shtyu Parlamentin drejt një vendimi të tillë është numri i madh i njerëzve që kanë kërkuar nga deputetët ta marrin në konsideratë kërkesën e tyre, por ai nënvizoi faktin se kjo nuk tregon mbështetje ndaj këtij peticioni.

Prej fillimit të fushatës, kryeministri David Cameron u ka kërkuar zgjedhësve ta mendonin mirë votën e tyre më 23 qershor, duke ngulur këmbë se nuk do të ketë referendum të dytë.

“Ky është një moment jetik për të ardhmen e vendit tonë dhe dua të jem i qartë se është një vendim përfundimtar. Janë hapur diskutime se mund të mbahet një referendum i dytë. Nuk mendoj se ndonjë që voton ‘dua të largohem nga BE’-ja, do të dëshirojë më pas të qëndrojë në BE”, tha David Cameron.

Por për ish-prokurorin e Përgjithshëm, konservatorin Dominic Grieve, një referendum i dytë do të ishte ligjërisht i justifikueshëm. Opinion publik mund të ndryshojë qëndrim – tha ai, – duke inkurajuar përkrahësit e peticionit që të vijojnë fushatën, edhe pse elita politike kërkon t’i kufizojë. Jetojmë në një shoqëri të lirë”, e mbylli fjalën Dominic Grieve.

Top Channel