Njohjet e pavarësisë, Hoxhaj: Nuk do të lëmë gur pa lëvizur pa rritur numrin

12/07/2016 00:00

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar këtë të martë ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell.

Ministri Hoxhaj dhe ambasadori O’Connell kanë diskutuar për bashkëpunimin e mëtejshëm të të dyja shteteve, si dhe për koordinimin e veprimeve për sa i përket shtimit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Sipas një komunikate të MPJ-së, ministri Hoxhaj ka theksuar se “Britania e Madhe ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e madhe e Kosovës së pavarur dhe fuqizimit të sovranitetit tonë, e si një partner i fuqishëm europian por edhe global, ajo do të ndihmojë në rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës, si dhe në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”.

Në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, në këtë drejtim është angazhuar vet ministri Hoxhaj, thuhet më tej në njoftim.

“Unë do të bëjpërpjekje maksimale që të rris numrin e njohjeve për shtetin e Kosovës, por kjo përpjekje e imja ka një logjikë mbrapa. Unë mendoj që Kosova në të ardhmen duhet të njihet nga 120-130 shtete, nuk dua të them që do t’i marrim këtë vit. Kjo, me një arsye shumë të thjeshtë, sepse për t’u anëtarësuar në ndonjë organizatë ndërkombëtare duhen 2/3-tat e votave dhe na duhet një mbështetje e madhe e shteteve që e kanë njohur Kosovën”, është shprehur ministri Hoxhaj.

Për këtë ai ka theksuar se “nuk do të lë gur pa lëvizur që ta rrisim sovranitetin e Kosovës, por edhe ta ushtrojmë atë. Kështu që anëtarësimi në organizata na mundëson ushtrimin e sovranitetit duke kërkuar herë pas herë votë edhe nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

Nga ana tjetër, ambasadori O’Connell ka thënë se, pavarësisht zhvillimeve të fundit në shtetin e tij, interesi i Britanisë së Madhe ka qenë që të mbështeten shtetet e tjera në Europë, sepse ato janë në të njëjtën hapësirë europiane.

Top Channel