Kosovë, tkurret qeveria. Tre ministri shkrihen me atë të Punëve të Jashtme

12/07/2016 00:00

Zvogëlimi i numrit të ministrive në Qeverinë e Kosovës do të ndodhë shumë shpejt. Burime të “Telegrafi”-t bëjnë të ditur se dikasteret e para që do t’i nënshtrohen këtij procesi janë Ministria e Diasporës, Ministria e Dialogut dhe ajo e Integrimit Europian, të cilat do të shkrihen duke formuar Ministrinë e Punëve të Jashtme, të drejtuar nga Enver Hoxhaj.

Qeveria e Kosovës do t’i nënshtrohet zvogëlimit të numrit të ministrive të saj, në mënyrë që të shmangen shpenzimet dhe që qeveria të jetë sa më efikase, të përfshihen kuadro të reja, si dhe të përshpejtohen proceset reformuese.

Me shkrirjen e këtyre ministrive në MPJ, ministria e Enver Hoxhajt do të ketë rol dhe funksion shumë më të madh në të gjitha proceset e politikës së jashtme, dialogut dhe ato integruese të Kosovës.

Sipas të njëjtit burim, propozimi për zvogëlimin e numrit të ministrive dhe diskutimet janë duke ndodhur brenda partnerit të koalicionit dhe ka përkrahje ndërkombëtare.

Të dielën, kryeministri Mustafa ka paralajmëruar edhe zyrtarisht zvogëlimin e kabinetit qeveritar, ndërsa të njëjtën gjë sot e ka konfirmuar para gazetarëve edhe zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj.

Top Channel