Shkodër, Rama përuron pavijonin e Hemodializës në Spitalin Rajonal

12/07/2016 00:00

Pacientët shkodranë dhe ata të zonave përreth, që kanë nevojë për hemodializë, do ta bëjnë atë në qytetin e tyre, me pajisje të reja dhe standarde bashkëkohore, pa pasur nevojë të udhëtojne drejt Tiranës.

Qendra e re e Hemodializës, e ngritur falë partneritetit publik-privat me një vlerë fillestare prej 900 mijë dollarësh, ka të instaluara 20 poste.

“Pas Vlorës kjo është njësia e dytë. Arritëm praktikisht në një kohë shumë të shkurtër të rinovojmë teknologjinë, të dyfishojmë kapacitetet, të vendosim pajisje të reja, të kemi një shërbim shumë më të mirë dhe cilësor”, tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Kryeministri Rama ka parë nga afër Qendrën e Hemodializës në Shkodër.

“Problemi i të gjithë këtyre njerëzve që janë torturuar në gjithë këto vite do të zgjidhet në rang vendi. Do të vazhdojmë më tej me Korçën, me Lezhën, Elbasanin dhe është rezultati i partneritetit publik-privat, i asaj fjalës që u bë si shfaqje e huaj koncesion”, u shpreh kryeministri Rama.

Ecejaket e qytetarëve nga një spital në tjetrin, – tha kryeministri, – shumë shpejt do të marrin fund.

Top Channel