Veliaj inspekton punimet në urën e Selitës: Përfitime banorëve

12/07/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e një ure të re, me përmasa gati tre herë më të mëdha se ajo ekzistuese në zonën e Selitës, e cila synon të lehtësojë dhe rregullojë trafikun e mjeteve dhe këmbësorëve në të dyja anët e Lanës.

Nisjen e punimeve e inspektoi sot kryetari Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti Pandeli Majko dhe drejtues të njësive administrative 5 dhe 7, që janë përfituese direkte nga ky investim.

Në fjalën e tij, Veliaj e cilësoi këtë investim, që lidh bulevardin “Bajram Curri” me bulevardin “Gjergj Fishta”, të një rëndësie të madhe, pasi prej tij do të përfitojnë jo vetëm dy lagjet më të populluara të Tiranës, por edhe qytetarët që zgjedhin këtë segment për të dalë nga kryeqyteti në drejtim të Durrësit.

“Në 30 korrik mbushet një vit nga marrja e detyrës e më vjen mirë që po fillojmë një projekt tjetër të rëndësishëm për qytetin, i cili lidh dy lagjet më të populluara të Tiranës, pra zonën e Selitës dhe 21 Dhjetorit. Është një hapësirë e cila ka pasur prej kohësh nevojë për ndërhyrje, sidomos në kohën e shirave kur kalimi në këtë urë bëhet jashtëzakonisht problematik kalimi”, tha Veliaj.

Ai shtoi se bashkia synon t’i mbyllë punimet deri në vjeshtë. “Më vjen mirë që kompania ka marrë përsipër që ta përgjysmojë kohën që i duhet për ta mbaruar projektin. Besoj se punimet do të përfundojnë brenda 3 muajve, në mënyrë që shirat e parë të vjeshtës ta gjejnë urën e përfunduar dhe ngërçi më i madh i trafikut në këtë zonë të marrë zgjidhje përfundimtare”, u shpreh kryetari i bashkisë.

Top Channel