F1, Ferrari ka 15 ditë kohë për të shpëtuar sezonin. Hungaria, prova e “zjarrit”

12/07/2016 00:00

Në “Silverstone” të Britanisë së Madhe duket se nuk është shfaqur aspak Ferrari i vërtetë, për të mos thënë që ishte tëpër i dobët. Problemet ekzistojnë dhe mbi të gjitha ka shqetësim për brishtësinë e kambios që tashmë po bëhet një problem kronik, pasi shenjat e para i dha që në testimet dimërore në Montmelo.

Modifikimet e vazhdueshme aerodinamike nuk kanë mjaftuar për të reduktuar mangësitë në këtë drejtim, që sipas projektit të Simone Resta duhej të kishte funksionuar më mirë pas përshtatjeve me karakteristikat e pistës britanike.

Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, janë vërejtur edhe implikimet psikologjike. Duket se Maurizio Arrivabene duhet të kalojë ditët e ardhshme me përkujdesjen për të mbajtur ende lart motivimin e një grupi që, pavarësisht sforcove, deri më tani kanë pasur ndoshta periudhën më të keqe sezonale.

Madje edhe piloti gjerman Vettel ka nisur të tregojë shenja padurimi, e kjo është reflektuar menjëherë edhe në performancat e tij. Katër herë kampioni i botës duket se nuk mund ta pranojë këtë fat, e megjithatë u ka kërkuar falje pjesëtarëve të skuderisë.

Në fillim të sezonit kanë pasur si synim të vinin nën presion Mercedesët e Hamilton dhe Rosberg, pse jo edhe të tentonin ndërprerjen e dominimit të tyre. Por nëse për këtë të fundit është më mirë të mos kihet më iluzione, në Maranello duket se i kanë vënë detyrë vetes të vazhdojnë të punojnë për t’i dhënë sadopak kuptim vitin 2016, duke parë se jemi vetëm në gjysmën e rrugës.

Në Budapest do të jetë një garë “vërtetësie” për të kuptuar nëse “Silverstone” ishte vetëm një garë e humbur fatkeqësisht prej problemeve, apo më shumë sesa kaq: nisja e një trendi zbritës. “Nuk mund të bëjmë më shaka”, ishte mesazhi i Arrivabenes për skuderinë.

Top Channel