Avokati i Xhelilit: Videoja e manipuluar, s’ka kërkuar favore seksuale

12/07/2016 00:00

A është i ligjshëm shkarkimi i kryebashkiakut të Dibrës, Shukri Xhelili? Këtë vendim Gjykata Kushtetuese do ta marrë pas datës 19 korrik dhe deri atëherë qeveria dhe avoakti duhet të dorëzojnë në gjykatë disa prova.

Njëri prej gjyqtarëve u shfaq i pakënaqur që prokuroria nuk kishte paraqitur asnjë provë, përfshirë edhe materiain filmik ku bazohej vendimi.

“S’ke paraqitur asnjë gjë. Nuk ke prurë asnjë material, as videon. Ne s’mund t’i marrim provat nga jashtë”, i tha gjyqtari përfaqësuesit të qeverisë.

Qeveria do ta çojë materialin në gjykatë dhe jep argumentin e vetë pse kjo është një provë e mjaftueshme që Shukri Xhelili ka cënuar rëndë figurën e zyrtarit dhe besimin tek insitucionet.

“Ne s’kemi pretenduar që këtë vendim e morëm pasi analizuam të gjithë këto prova që thoni ju, por vetëm shprehje si ‘këtë vend pune e hapa për ty’, mjafton. Ai thotë se i ka bërë nder vajzës, kjo ka cënuar imazhin”, deklaroi Artur Metani, përfaqësues i qeverisë.

Avokati i kryebashkiakut të shkarkuar të Dibrës u mbrojt me vendimin e Gjykatës së Lartë që pushoi çështjen në ngarkim të kreut të LSI-së, Ilir Meta. Sipas avokatit, njësoj si në rastin e Metës nuk ekziston filmimi origjinal.

“Kur nuk janë origjinale, kur ti më paraqet atë filmim që e hedh në një mjet tjetër depozitues si USB-ja, probabiliteti për ta manipuluar është shumë i lartë”, tha avokati Ferdinand Ndoja.

I pyetur më vonë nga gazetarët avoakti nuk tha se cila pjesë e xhiruar në zyrën e ish-kryebashkiakut konsiderohej si e manipuluar.

Top Channel