Rikthehet Champions, sot e nesër turi i dytë paraeliminator

12/07/2016 00:00

Europiani përfundoi dhe madje mund të quhet i arkivuar. Nga sot nisin emocionet e tureve paraeliminatore të Champions League, teksa do të luhen 7 ndeshjet e vajtjes së turit të dytë, ndërsa 7 të tjera do të zhvillohen të mërkurën. Të gjitha këto ndeshje vajtjeje, ndërsa ato të kthimit do të luhen javën e ardhshme.

Në program janë parashikuar të luhen gjatë ditës së sotme këto sfida: Zrinjski (Bos)-Legia (Pol); Dinamo Tbilisi (Gjeo)-Alashkert (Arm); Karabag (Aze)-Dudelange (Luks); Hapoel Beer-Sheva (Izr)-Sheriff Tiraspol (Mol); Valletta (Mal)-Crvena Zvezda (Ser); The New Saints (Uell)-APOEL (Qip); BATE Borisov (Bje)-Seinajoki (Fin); Lincoln (Gjib)-Celtic (Sko); Salzburg (Aus)-Liepaja (Let); Vardar (Maq)-Dinamo Zagreb (Kro).

Ndërkohë, nesër do të jetë edhe radha e Partizanit, të ardhur në këtë tur të Champions League pas skualifikimit të Skënderbeut nga panelet e UEFA-s dhe Gjykata e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës. Më konkretisht, të mërkurën luhen këto ndeshje: Olimpia Lubjana (Slo)-Trencin (Sllov); Zalgiris (Lit)-Astana (Kaz); Rosenborg (Nor)-Norrkoping (Sue); Ludogorets (Bul)-Mladost Podgorica (Mal.Z); PARTIZANI (SHQ)-Ferencvaros (Hun); Crusaders (Irl.V)-Copenhagen (Dan); Dundalk (Irl)-FH Hafnarfjordur (Isl).

Mbrëmjen e sotme të gjithë sytë do të jenë në “Arena Philip II” të Shkupit në Maqedoni, aty ku në orën 20:45 vendasit e Vardarit do të presin Dinamo Zagrebin. Do të jetë një sfidë e rëndësishme për faktin se te kroatët aktivizohet Marko Pjaca, talenti që ka “çmendur” një sërë klubesh të mëdha me performancat e tij gjatë “Euro 2016”, e që është vënë në shënjestrën e Juventusit, por jo vetëm.

Megjithatë, aktivizimi i tij në këtë tur paraeliminator nuk do ta pengojë atë të luajë me fanellën e bardhezinjve italianë në të njëjtin kompeticion, pasi rregullorja e UEFA-s lejon lojtarët të luajnë për një klub gjatë tureve paraeliminatore, e më pas të kalojnë te një tjetër klub gjatë fazës me grupe.

Sot do të luhet edhe sfida të tjera të rëndësishme, Celtic i Brendan Rodgers do të vizitojë kampionët e Gjibraltarit, Lincoln, ndërsa bjellorusët e BATE-s do të presin finlandezët e Seinajoki. Ndërsa Ylli i Kuq i Beogradit do të udhëtojë drejt Maltës, për t’u ndeshur me Vallettan.

Top Channel