Itali, përplasen dy trena; 23 të vdekur e 50 të plagosur

12/07/2016 00:00

Vagonë të tërë të grimcuar, qelqe të thyera dhe gjaku i përhapur ngado. Kjo është skena e ngjarjes së pabesueshme, nëse do të përdorim edhe fjalët e një zjarrfikësi, pas asaj përplasjeje kokë më kokë të dy trenave mbi të njëjtin binar të ndodhur rreth orës 11:30 të kësaj të marte, teksa udhëtonin mes Coratos dhe Andrias.

Bilanci, i cili është ende provizor dhe pritet të përkeqësohet, siç thekson edhe Mbrojtja Civile, shkon aktualisht në 23 të vdekur, mes të cilëve edhe makinisti, si dhe 50 të plagosur, mes të cilëve 18 në gjendje të rëndë, ndërsa mjetet e zjarrfikëses po punojnë ende për të nxjerrë pasagjerët nga vagonët e shkatërruar.

Një i mitur vetëm pak vjeç, i cili është ende gjallë fatmirësisht, është nxjerrë nga vagonët dhe është transportuar menjëherë me helikopter për në spitalin më të afërt. Në bordin e këtij treni, përveç udhëtarëve dhe studentëve, thuajse çdo ditë ka shumë udhëtarë që duan të kapin sa më shpejt fluturimet në Aeroportin e Bari Paleses.

“Është një fatkeqësi, si të kishte rënë një aeroplan”, tha Massimo Mazzilli, kryebashkiak i Coratos. Një prej dy trenave ishte nisur nga Corato me destinacion Andrian, ndërsa tjetri në kahun e kundërt. Por shkaqet e përplasjes janë ende të paqarta. “Është ende nën hetim”, ka thënë presidenti i Rajonit të Puljas, Michele Emiliano, i ndodhur në vendngjarje.

Edhe shoqëria hekurudhore “Ferrotramviaria”, e cila ka nisur hetimet, konfirmon: Nuk dihet ende asgjë për shkaqet, është ende herët.

“Nuk e dimë cilat kanë qenë shkaqet e përplasjes, por dimë që ka qenë tepër e dhunshme”, tha ministri i Transportit, Graziano Delrio, i cili duke u larguar nga vendngjarja njoftoi edhe ngritjen e një komisioni hetimor.

Ndërkohë, kryeministri Matteo Renzi, i cili sapo kishte mbërritur në Muzeun e Shkencës dhe Teknikës në Milano, ka përshëndetur me shpejtësi të pranishmit dhe ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave, duke vendosur të kthehet menjëherë në Romë për të sqaruar gjithçka ndodhi.

“Nuk do të rresht derisa të gjejmë përgjegjësitë”, ka thënë kryeministri. Në mbrëmje, Renzi do të jetë në Pulja, pikërisht në vendin e tragjedisë. Edhe Dhoma e Senatit italian i ka nisur punimet me një minutë heshtjeje për viktimat e Puljas.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel