Itali, sekuestrohen 800 kg marijuanë; në pranga 2 shqiptarë

12/07/2016 00:00

Agjentët e Guardia di Finanza në Komo, në bashkëpunim me kolegët në Brindizi dhe Leçe kanë sekuestruar 800 kg marijuanë që vinte nga Shqipëria.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave në pranga kanë rënë dy shtetas shqiptarë dhe një malazez, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe armëmbajtje pa leje.

Fillimisht agjentët kanë lokalilzuar një automjet me në bord dy shqiptarët, që transportonte 150 kg marijuanë tashmë të sekuestruar, ndërsa më pas, në një shtëpi të izoluar në Leçe kanë gjetur sasinë tjetër prej 650 kg, si dhe një pistoletë dhe dy karikatorë me nga 15 fishekë secili.

Sipas GDF, lënda narkotike kishte si destinacion tregjet e rajoneve veriore të Italisë si Lombardia, Piemonte, Veneto, Emilia Romanja, Lacio, Marke, Toskanë dhe Abruco. Nga shpërndarja e saj do të ishin siguruar mbi 4 milionë euro.

Top Channel