Ahmetaj: Nga 1 gushti, sërish fushatë për kuponin

12/07/2016 00:00

Ministri i Fianancave, Arben Ahmetaj deklaroi se aksioni kundër informalitetit do të hyjë në një fazë të re, e cila do të fokusohet tek ndërgjgjësimi dhe kontrolli i bizneseve për lëshimin e kuponit tatimor.

“Duke filluar nga 1 gushti tatimet do të jenë në terren për të dialoguar e verifikuar me sipërmarrjen zbatimin e ligjit për lëshimin e kuponit tatimor”, deklaroi Ahmetaj.

Sipas Ahmetajt, aksioni do të përqendrohet kryesisht në zonat me aktivitet më të madh ekonomik.

“Do të jemi prezent në zonat turistike e jo vetëm, në mënyrë që fatura dhe kuponi tatimor të jenë realitet i përditshëm e i kudogjendshëm në të gjithë Shqipërinë”, tha Ahmetaj.

Kreu i Financave tha se qëllimi i Tatimeve nuk është gjobitja e bizneseve. Por paralajmëroi se nuk do të tolerohet asnjë ndërmarrje, e cila nuk zbaton ligjin.

“I kërkoj tatim-paguesve që s’i kanë blerë kasat, që i kanë me defekt, apo që i kanë të heshtura, të rishohin pozicionin dhe përgjegjësitë e tyre tatimore”, apeloi Ahmetaj.

Sipas Ahmetajt, për shkak të aksionit kundër informalitetit në 6 muajt e parë të vitit të ardhurat buxhetore u rritën me 10.6 miliardë lekë ose 5.8 për qind krahasuar me vjet.

Top Channel