Meta në Mal të Zi, pritet nga Vujanoviç: Të avancojmë projektet rajonale

12/07/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka nisur këtë të martë një vizitë zyrtare në Malin e Zi, ku fillimisht është pritur në një takim nga presidenti i vendit, Filip Vujanoviç.

Vujanoviç ka falenderuar Metën për ratifikimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO nga Kuvendi i Shqipërisë. Ndërsa Meta, nga ana e tij, ka vlerësuar progresin e Malit të Zi, që mundësoi anëtarësimin e këtij vendi në radhët e Aleancës.

Ndër të tjera, Meta ka theksuar se, “marrëdhëniet e shkëlqyera” dypalëshe duhet të avancojnë përmes projekteve infrastrukturore dhe ekonomike në shkallë rajonale. “Projektet rajonale si TAP dhe Korridori Blu kanë një rëndësi strategjike për të gjthë rajonin”, ka thënë Meta.

Ndër të tjera, kreu i Kuvendit ka vlerësuar vëmendjen e shtetit malazez ndaj pakicës shqiptare në këtë shtet. “Shqiptarët e meritojnë mbështetjen tuaj sepse kanë qenë gjithnjë kontribues të proceseve integruese. Zgjidhjet e kërkesave të shqiptarëve do t’i shërbejnë komuniteteve lokale dhe forcimit demokratik të Malit të Zi”, ka vijuar Meta.

Në të njëjtat linja, Vujanoviç ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy parlamenteve dhe e ka cilësuar Shqipërinë një vend mik, me të cilin do të ecë përpara në familjen euro-atlantike.

Top Channel