Dëshpërimi i qeverisë në Venezuelë, vazhdon sekuestrimet

12/07/2016 00:00

Qeveria e Venezuelës sekuestroi një fabrikë që zotërohet nga kompania amerikane “Kimberly”, një tjetër veprim që ngre dyshimet për paaftësinë e Ekzekutivit për t’u përballur me krizën në vend.

Më herët, kompania amerikane lajmëroi se ishte detyruar që të ndalonte punën e fabrikës së saj në Venezuela, pasi nuk mund të siguronte materialet bazë për shkak të klimës së rënduar të biznesit.

Kompania “Kimblerly Klark”, e cila prodhon produkte higjiene, përfshirë peceta letre dhe pelena, tha se nuk mund të vepronte ndryshe. Por, veprimi i saj nuk është vlerësuar aspak nga autoritetet, të cilat thanë se mbyllja e fabrikës ishte e jashtëligjshme dhe se ajo ishte rihapur dhe tashmë gjendej në duart e punëtorëve.

Kjo fabrikë ishte e radhës nga shumë të tjera të huaja në Venezuela që kanë mbyllur dyert ose kanë pakësuar ndjeshëm prodhimin për shkak të kontrollit shtetëror mbi valutën, mungesën e lëndës bazë dhe inflacionin jashtë kontrolli. Qeveria e Venezuelës ka kërcënuar me burgosjen e drejtuesve të fabrikave që mbyllen, pasi akuzon opozitën dhe biznesin në vend që bashkëpunojnë për të luftuar qeverinë dhe që kanë shkaktuar krizën ekonomike.

Sekuestro të tilla janë të zakonshme në Venezuela ku qeveria përpiqet dëshpërimisht të mbajë hapur vende pune më kot në përpjekje për të qetësuar zemërimin gjithnjë e në rritje të popullsisë.

Ekspertë të shumtë fajësojnë politikat e gabuara të qeverisë socialiste për vite me radhë për këtë krizë që si kurrë më parë në planet detyroi mijëra venezuelianë të kalojnë kufirin drejt Kolumbisë për të blerë ushqime që në vend mungojnë prej muajsh.

Top Channel