Basha: Paketë të veçantë lehtësuese për sipërmarrjet prodhuese

12/07/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një bashkëbisedim me sipërmarrës dhe punëtorë të një fabrike të prodhimit të kartonit në Porto Romano, ku është shprehur se përveç taksës së sheshtë 9% dhe uljes së taksave, për industrinë e prodhimit Partia Demokratike do të ketë një paketë të veçantë lehtësuese që do të përfshijë uljen e çmimit të energjisë, naftës, si dhe lehtësira në lidhje me TVSH për lëndën e parë.

“Për biznesin në tërësi ne kemi një paketë taksash, taksë e sheshtë 9%, kontributi shoqëror 18%. Por për prodhimin në veçanti na duhet një  paketë e veçantë që të ulë koston e prodhimit, që ka të bëjë me energjinë elektrike, me çmimin e naftës, ka të bëjë me TVSH-në për lëndën e parë dhe me aspekte të tjera që ne po i diskutojmë”, ka thënë Basha para sipërmarrësve.

Kreu i Partisë Demokratike theksoi se përmes politikës së taksave të ulëta, përmirësimit të klimës së biznesit, reduktimit të burokracisë dhe uljes së kostos së prodhimit synohet rritje e investimeve vendase dhe të huaja, rritje e numrit të të punësuarve dhe rritje pagash.

Top Channel