Grabitja e bankës në Vlorë, gjendet automjeti i autorëve

12/07/2016 00:00

Policia e Vlorës ka bërë të ditur se ka gjetur automjetin me të cilin grabitësit e bankës kanë mundur të largohen pas grabitjes.

Sipas policisë, dyshohet se pas kryerjes së vjedhjes, autorët janë larguar me një autoveturë të markës “Benz-250”, me targë 453AJL06 (ngjyrë e bardhë), pasi në ndjekje e sipër nga shërbimet e policisë, u bë e mundur gjeta e këtij mjeti, i braktisur në lagjen “Lef  Sallata”, pranë shkollës speciale të prapambetjes së lehtë mendore.

Nga veprimet e kryera nga policia për automjetin e dyshuar të përdorur nga autorët në këtë ngjarje, rezulton se është vjedhur në datën 10.07.2016, në lagjen “Rilindja” në Vlorë, pranë rrugës Transballkanike.

Gjithashtu bëhet e ditur se sipas inventarit të mbajtur nga ana e Auditit të Bankës, dyshohet se autorët kanë mundur të marrin një sasi prej 6 milionë lekë dhe 33.695 euro.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, policia vazhdon hetimet për të sqaruar edhe rolin e shërbimit të sigurisë private që ka nënshkruar kontratë për sigurinë e bankës.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel