Nuland, negociatore në Shkup: Të zbatohet marrëveshja e Përzhinës

11/07/2016 00:00

Marrëveshja e 2 qershorit duhet të zbatohet plotësisht dhe palët politike duhet që sa më shpejt të bien dakord për mbajtjen e zgjedhjeve me qëllim daljen nga kriza politike në të cilën ndodhet Maqedonia.

Është ky mesazhi që përcolli ndihmës-sekretarja amerikane e shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland gjatë konferencës për shtyp pas takimit me liderët e politikës maqedonase.

“Duket që është arritur një progres i caktuar në implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës, por tani është momenti që kjo punë të përfundojë dhe Maqedonia të vendoset në kursin e zgjedhjeve korrekte dhe të lira”, tha Nuland.

Diplomatja amerikane theksoi nevojën e përkushtimit të të gjitha palëve dhe u shpreh optimiste se pas largimit të saj ekipet negociuese do të diskutojnë lidhur me idetë e propozuara për mbajtjen e zgjedhjeve.

Gjatë vizitës së saj në Shkup, Nuland u takua gjithashtu me prokuroren publike speciale Katica Janeva të cilës i tha i se puna e saj ishte me rëndësi jetësore për një sistem të drejtë e të pastër gjyqësor në vend.

Top Channel