Arrestohet zv/drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve për korrupsion

11/07/2016 00:00

Nëndrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Iljaz Labi u arrestua nga policia pasditen e së hënës pas një kërkese të bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Akuza që rëndon mbi të është ajo e korrupsionit pasiv.

Fletë-arrestet u ekzekutuan edhe për katër administratorë firmash të ushqimeve të të burgosurve. Arrestimet e të pestëve u kryen pasi Gjykata e Tiranës dha masën e sigurisë “arrest me burg”.

Sipas Prokurorisë, dyshohet se kompanitë private të ushqimit në bashkëpunim me njëra-tjetrën, përfshiheshin në mënyrë fiktive në procedurat e prokurimit publik të zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Sipas informacionit paraprak, dyshohej se këto kompani private realizonin qëllimin e tyre duke bashkëpunuar me zv/drejtorin e Përgjithshme të Burgjeve.

Prokuroria, në bazë edhe të përgjimeve të bëra, konstatoi se: Administratorët e kompanive takoheshin me njëri-tjetrin dhe binin dakord për pjesëmarrjen në tender, duke e përcaktuar vetë fituesin për çdo lot prokurimi.

Shoqëritë, të cilat pranonin të përpilonin dokumentacion për të mos fituar, por te ishin në tender për të plotësuar numrin e firmave pjesëmarrëse bëheshin nënkontraktorë.

Katër administratoret dyshohen ta kenë paguar zv/drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve në masën 2 milionë lekë të reja sa herë që fitonin një lot prokurimi. Përgjimi i autorizuar nga Prokuroria u krye përpara një tenderi që do të zhvillohej në datën 31 maj të këtij viti me objekt blerje bulmet dhe vezë me një vlerë totale 22.7 milionë lekë të reja.

Top Channel