Talenti Sanches, rekorde të reja

11/07/2016 00:00

Shumëkush nënvizonte para Europianit se gjermanët nuk i shpenzojnë paratë kot, dhe në rastin e Renato Sanches, kjo merrte kuptim të plotë.

Talenti i ri i kombëtares portugeze të futbollit mrekulloi me lojën e tij në turneun e kësaj vere, dhe ka nisur të shkruajë rekorde, ende pa luajtur ndeshjen e parë me Bajern Mynih, skuadër që i besoi një kontratë të çmendur.

Diskutimi për moshën e vërtetë nëse është 18 apo 24 vjeç është lënë përfundimisht mënjanë dhe mesfushori i luzitanëve u shpall futbollisti më i mirë i ri, i Europianit 2016 të Francës.

Ky çmim që do të diskutohej mes të gjithë lojtarëve të lindur pas 1 Janarit 1994, u përzgjodh nga vëzhguesit teknik të UEFA-s mes të cilëve personalitete si sër Aleks Ferguson dhe Alan Shires.

Në fillim 3 ndeshje si zëvendësues dhe më pas formacioni titullar ndaj Portugalisë. Sanches shënoi golin e parë për Portugalinë në mbrëmjen e Marsejës por nuk e ndali protagonizmin me kaq.

Mesfushori luzitan la pas krahëve francezin Kingsley Coman, me të cilin si për ironi të fatit do të luajë me Bajernin duke nisur nga muaji Gusht. Por rekordet e Renato Sanches nuk ndalen me kaq.

Ai është bërë futbollisti më i ri që luan në një finale Europiani, madje duke ngritur lart trofeun e dizenjuar nga “Henri Deloni”. Sancez theu rekordin e mëparshëm të Kristiano Ronaldos, të vendosur në finalen e vitit 2004 ndaj Greqisë, disfatë e harruar pas suksesit të kësaj të diele në Paris.

Top Channel