Menaxhimi i ujit në Drin, tunele të reja në Koman e Fierzë

11/07/2016 00:00

Koorporata Elektro Energjitike Shqiptare po parashikon për të ndërhyrë në hidrocentralin e Fierzës dhe Komanit me qëllim zvogëlimin e pasojave nga përmbytjet.

Një studim që kushton rreth 2 milionë euro do të mundësojë projektimin e dy tuneleve të reja shkarkuese në hidrocentralet më të mëdha të kaskadës së Drinit, me qëllim menaxhimin sa më të mirë të prurjeve dhe uljen e impaktit të përmbytjeve tek popullata.

“Ndërtimi i tuneleve do mundësojë që në rast përmbytjeje apo gjendjeje të pafavorshme në kaskadë ne do menaxhojmë derdhjen e ujërave duke mos shkaktuar shqetësime për popullatën”, deklaron Fatos Bundo, drejtor i projektit të digave pranë KESH.

Investimi parashikohet të jetë mbi 98 milionë euro, por mbetet për t’u parë se kur gjithçka do të konkretziohet, në fillim të 2017-s, me përfundimin e studimit.

“Flasim për një investim nga 98 deri në 164 milionë euro, bazuar në gjatësinë e tuneleve, që për momentin janë në investigim e sipër si në aspektin gjeologjik ashtu dhe në të tjera”, thotë Bundo.

Me marrjen e projektit në dorë, KESH do të nisë bisedimet me institucionet financiare për të sigurar fondet.

Top Channel