“Monger” mbyll sezonin në TKOB

11/07/2016 00:00

Baleti “Monger”, premiera më e rëndësishme e këtij sezoni e vënë në skenë në muajin maj, ka mbyllur edhe kalendarin artistik në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit mbrëmjen e së dielës.

I cilësuar nga kritika botërore si një balet inteligjent dhe provokativ në lëvizje e mesazhe, “Monger” është krijim i koreografit izraelito-amerikan, Barack Marshall.

“Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, mjaft e këndshme. Kemi mësuar se të gabosh është njerëzore. Këtë e shprehte tej mase, na thoshte shpesh gaboni në prova, sepse për atë nuk kishte problem. Ne jemi mësuar të jemi gjithmonë perfektë gjatë provave, por ky ishte dallimi kryesor”, tha Loreta Bala, balerinë.

“Monger” sjell luftën për mbijetesë, ngre çështje të pushtetit, vullnetit të lirë dhe kompromisit.

“Kjo ishte edhe fabula e këtij baleti. Ishte një protestë ndaj të drejtave të popullit. Çdo e drejtë ishte e detyrueshme të merrej në konsideratë nga çdo njeri, çdo kryetar apo shef, i cili drejton popullin apo cilindo. Këtë jemi munduar të përcjellim edhe ne, të kemi të drejtën tonë për të luftuar. Rebelohemi gjatë koreografisë dhe në fund marrim atë që ne duam”, thotë më tej balerina Loreta.

Muzikë “Gipsy”, orientale, klasike e deri te muzika “Rock” ka sjellë shfaqja e fundit. Një shije mikse, e cila ka mbyllur sezonin artistik në TKOB.

Top Channel