Demarkacioni, në Kuvend me procedurë të përshpejtuar të mërkurën?

11/07/2016 00:00

Qeveria e Kosovës duket e vendosur që çështjen e kufirit me Malin e Zi në versionin aktual ta dërgojë për ratifikim në Kuvend. Pavarësisht thirrjeve dhe kundërshtimeve të opozitës, kryeministri Isa Mustafa ka në plan që ta çojë deri në fund kërkesën e mbështetur si nga Bashkimit Europian, ashtu dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës së fundmi.

Burime të “RTV Dukagjini” kanë bërë të ditur se Qeveria do të mblidhet të mërkurën në orën 10:00 dhe do të miratojë e procedojë në Kuvend marrëveshjen me Malin e Zi. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se procedimi i demarkacionit do të bëhet në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit dhe nuk do të priten procedurat e rregullta të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit.

“Marrëveshja me Malin e Zi do të procedohet të mërkurën. Çdo gjë është gati. Qeveria do ta miratojë atë dhe në Kuvend do të dërgohet me procedurë të përshpejtuar, konkretisht me thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, pasi nuk ka kohë që kjo çështje të shkojë me procedurë të rregullt”, ka shpjeguar më tej burimi.

Së fundmi janë rritur sërish debatet për çështjen e demarkacionit, sidomos pasi Parlamenti Europian e ka shtyrë votimin për libëralizimin e vizave për Kosovën për në shtator, pikërisht për shkak se sipas tyre Kosova nuk ka lëvizur me përmbushjen e kritereve, e njëra nga to ishte pikërisht demarkacioni.

Opozita ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që në Kuvend të kalojë kjo çështje, madje kanë thënë se do të përdorin të njëjtat metoda siç kanë bërë në të kaluarën, në mënyrë që të pengojnë kalimin e kësaj marrëveshjeje.

Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, nëpërmjet një videomesazhi u ka bërë thirrje deputetëve të koalicionit në qeveri që të votojnë kundër përcaktimit të vijës së re kufitare me Malin e Zi. Deputetë të opozitës kanë shkuar edhe më larg, duke thënë së përcaktimi i vijës kufitare në këtë format mund të çojë deri në konflikt të armatosur me Malin e Zi.

Top Channel