Kosovë, Hoxha zëvendëson Kuçin te Drejtësia

11/07/2016 00:00

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë publike përmes një konference për mediet, zëvendësimin e postit të ministrit të Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, post që do të udhëhiqet tashmë nga një femër.

Hajredin Kuçi, ministër i deritanishëm i Drejtësisë, njoftoi se postin që ai udhëhiqte deri më tani do t’ia kalojë Dhurata Hoxhës për ta drejtuar ajo nga sot e në vijim.

Megjithatë, në daljen e tij të fundit si ministër i Drejtësisë, por në cilësinë e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar se mesazhet rreth çështjes së demarkacionit, të dhëna nga zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, janë të mira për qeverinë.

“Mesazhet do të merren seriozisht nga Qeveria”, ka thënë Kuçi.

Zv.kryeministri Kuçi, duke prezantuar ministren e re të Drejtësisë shtoi:

“Ne do të shfrytëzojmë çdo mundësi që të gjejmë konsensusin për ta proceduar më tutje marrëveshjen”. Megjithatë, Kuçi nuk ka treguar detaje se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

Top Channel