Reforma, negociatat vazhdojnë. Rama: Veting nga ndërkombëtarët. PD ende pa përgjigje

11/07/2016 00:00

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist, Edi Rama nuk dha detaje për negociatat mbi propozimin e ri amerikan, por ishte i qartë në qëndrimin e mazhorancës.

“Vija e kuqe nuk është bërë nga peneli im, por është një vijë e kuqe që është përcaktuar nga SHBA dhe BE dhe që ka në esencën e vetë procesin e vetingut. Partia Socialiste dhe shumica qeverisëse do të votojnë një reformë që ka mbështetjen e plotë të SHBA dhe BE”, u shpreh Rama.

Vija e kuqe u përmend nga Edi Rama gati një muaj më parë, kur mbrojti tezën se ndërkombëtarët duhet të kenë fuqi vendimmarrëse në skanimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Ky formulim gjendet i pandryshuar në thelb edhe në propozim e ri amerikan. Ajo çfarë e bën hibrid propozimin, siç e quajti ndihmës-sekretarja e Shtetit, është votimi i anëtarëve të vetingut nga komisioni “ad hoc” parlamentar, siç propozonte opozita.

“Por thelbi, mësojeni, është jo se kush do mbushi me ujë shishet, por sa i pastër do jetë burimi prej nga vjen uji. Që do të thotë, si do të garantojmë që filtri i kandidaturave që pastaj i shkojnë Parlamentit të jetë i sigurt. E nëse filtri është i sigurt, për ne nuk ka asnjë problem tjetër”, tha Kryeministri.

Kjo është çështja ende e pazgjidhur e reformës në drejtësi dhe për të cilën opozita duhet të kthejë një përgjigje deri të martën.

Lulzim Basha pati një takim të hënën në drekë me anëtarët dhe ekspertët e opozitës për reformën në drejtësi.

Njësoj si Edi Rama, ai nuk dha detaje për negociatat, por i nxiti ata të punojnë me 7 ligjet e reformës që, në rast kompromisi, opozita të ketë gati qëndrimin e vet për ligjet. Megjithatë, askush, deri tani,  nuk di t’i japë një përgjigje pyetjes, a është afër kompromisi?!

Xhafaj: Vijojnë negociatat. Letra e Vasilit, kërkesë e natyrshme

Kryetari i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj ka lënë të kuptohet se, shanset për një marrëveshje me opozitën janë të hapura.

“Do të kemi negociatë dhe kjo është shenjë e seriozitetit politik”, ka deklaruar Xhafaj në fund të mbledhjes së grupit parlamentar të PS.

Në prononcimin e mbajtur për mediat, Xhafaj u është përgjigjur interesit të tyre edhe sa i takon letrës së kryetarit të grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili.

“Për marrëdhënien që kemi me partnerin tonë LSI ishte një kërkesë e natyrshme që ata të informoheshin për ecurinë e procesit dhe kjo është bërë prej meje nga ditë më parë dhe edhe tani”, ka thënë Xhafaj.

Duke nënvizuar se, Vasili ka qenë gjithmonë i pranishëm në mbledhjet e komisionit të posaçëm, deputeti socialist ka shtuar se letra kishte të bënte për disa detaje.

Në vijim të interesit të mediave, Xhafaj ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se komisioni po punon në mënyrë të njëanshme dhe e ka ftuar atë të kthehet në tryezë.

“Komisioni po funksionon normalisht. Zoti Bylykbashi do të bënte mirë të vinte në komision, por nëse nuk është i kënaqur me këtë që po bën mund të dalë e të bëjë politikë nga selia e PD”, ka thënë Xhafaj.

Ai ka shtuar se, gjithçka po zhvillohet konform rregullave të Kuvendit dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. “Jemi për të negociuar një çështje të vetme, sepse për 99 për qind kemi rënë dakord”, ka shtuar Xhafaj.

Top Channel