Pak kilometra larg Tiranës, turistë vendas dhe të huaj mund të gjejnë brenda një zone të vogël gjeografike kombinimin më të larmishëm të bukurisë natyrore, aventurës, historisë shqiptare dhe agroturizmit.

Peizazhin që ofron gadishulli i fshehur mes këtyre kodrave e paralajmëron rruga që të çon për te Kepi i Rodonit. Për ata që pëlqejnë aventurën, kjo zonë me pak mundim mund të arrihet edhe me biçikleta.

“Kemi ardhur për të parë pikërisht këtë gjë, sesi mund të kombinojmë paketat turistike në një zonë të vogël gjeografike”, tha Milva Ekonomi, ministre e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit.

Paralelisht me turizmin e detit, vizitorët mund të njihen me historinë e zonës. Aty gjendet Kisha e Shën Andonit, një ndërtesë 700-vjeçare. Për fat të keq, e vetmja nga 4 të tilla e mbetur pas rindërtimit në vitin 2001.

“Falë bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës, kemi arritur të kemi një akord për oraret e hapjes së këtyre qendrave muzeale. Siç e shikoni, edhe sot që është e diel, qendra e trashëgimisë kulturore është e hapur”, tha ministrja Milva Ekonomi.

Udhëtimi për në pjesën më të bukur, majën e Kepit të Rodonit, mund të kryhet përmes detit ose ecjes në kodër. Diçka ka mbetur pa marrë edhe nga erozioni, nga fortesa e ndërtuar nga Skënderbeu në vitet 1450, si një nevojë ushtarake për dalje në det.

Guidat turistike na rrëfejnë se heroi ynë kombëtar zgjidhte këtë vend për të pushuar edhe pas betejave. Por, pavarësisht natyrës së gjelbër dhe ujit të kristaltë, ai mbetet ende shumë pak i njohur nga pushuesit.

Top Channel