Gjirokastër, shtohen turistët në kërkim të qytetit antik të Antigonesë

11/07/2016 00:00

Ekspeditat e fundit arkeologjike në Antigone kanë provuar ekzistencën e rrugës magjistrale që përshkonte qytetin antik me njësi zejtare në të dy krahët. Arkeologët i kanë shtuar fondit të gjetjeve prej këtyre kuadrateve, objekte me rëndësi në përcaktimin e zhvillimit ekonomik dhe shkëmbimeve gjatë periudhës helenistike.

“Është shumë interesante që turistët kanë filluar të zgjerojnë rrjetin e tyre. Kemi pasur gjermanët dhe austriakët, por tashmë janë shtuar edhe polakët e çekët, pa përjashtuar këtu italianë apo spanjollë”, thotë Shkëlqim Guçe, drejtor i parkut.

Antigonea, qyteti antik që jetoi vetëm periudhën helenistike për shkak të shkatërrimit në vitin 168 para Krishtit, u ndërtua prej Mbretit Pirro në vitin 295 para Krishtit. Ajo njihet si njëra prej qendrave më të rëndësishme urbane të Antikitetit, me bazë të zhvillimit ekonomik prodhimin zejtar dhe shkëmbimet me rajonet e tjera.

Top Channel