Britani, Theresa May pritet të bëhet kryeministre. Tërhiqet rivalja e fundit

11/07/2016 00:00

Theresa May pritet të emërohet si kryeministrja e re e Britanisë së Madhe, pasi rivalja e saj e vetme në garën për kreun e partisë, ministrja e Energjisë Andrea Leadsom, u tërhoq papritur gjatë kësaj të hëne nga gara për të udhëhequr Partinë Konservatore.

Graham Brady, kreu i komitetit partiak që merret me procesin e garës për kreun e konservatorëve, tha se bordi i partisë do të takohet për të diskutuar konfirmimin e Sekretares së Brendshme si fituesen e garës, megjithatë ai nuk dha detaje sesa kohë mund të marrë ky vendim.

Udhëheqësja e re e konservatorëve do të zëvendësojë David Cameron në postin e kryeministrit. Ai dha dorëheqjen vetëm pak pasi vendi votoi në referendumin e muajit të kaluar për t’u larguar nga Bashkimi Europian. Kjo, një tërheqje morale, pasi ai kishte zhvilluar fushatën pro qëndrimit në BE.

Theresa May, e cila mbështeste gjithashtu qëndrimin në BE, është një prej ministreve më me eksperiencë në kabinetin e Cameron, duke shërbyer në rolin e vështirë të ministres së Brendshme për 6 vitet e fundit. Nëse konfirmohet, politikanja 59-vjeçare do të bëhet kryeministre e Britanisë brenda pak ditëve. Ndërkaq, ajo do të jetë e dyta femër në historinë e Mbretërisë së Bashkuar që mban postin e kryeministres.

Tërheqja e Leadsom erdhi pas gabimit trashanik të bërë gjatë fundjavës dhe kritikave që shkaktuan komentet mbi rolin e “nënave” në politikë. Ajo tha se, “duke qenë nënë, ajo do të ishte kryeministre më e mirë për vendin sesa May”, e cila nuk ka pasardhës. Fillimisht Leadsom u mbrojt, ndërsa më pas kërkoi falje.

Leadsom akuzoi më pas tabloidin “The Times” të Londrs se kishte praktikuar një “gazetari të ndyrë” dhe se kishte prekur ndjenjat e saj. Por “The Times” publikoi një pjesë të regjistruar të intervistës, për të sqaruar se e kishte cituar më së miri Leadsom.

Leadsom tha zyrtarisht se po tërhiqej nga gara, sepse kishte arritur në përfundimin se i mungonte mbështetja mes ligjvënësve konservatorë.

Paraprakisht, zgjedhjet për kreun e Partisë Konservatore ishin parashikuar të zgjasnin deri në fillim të shtatorit, por tashmë mbetet çështje ditësh që Theresa May të emërohet kryeministrja e re e vendit.

Top Channel