PD: Rama vazhdon të heshtë për krimin federal në SHBA

11/07/2016 00:00

Partia Demokratike, përmes sekretarit të përgjithshëm të saj Arben Ristani u është rikthyer këtë të hënë akuzave në drejtim të kryeministrit Rama për pagimin e 80 mijë dollarëve me prejardhje kriminale për të siguruar një foto me presidentin amerikan Barack Obama.

“Prej 13 ditësh, shtetasi i huaj numër 2, siç e quan FBI, ose Edi Rama, aktualisht kryeministër i vendit, është publikisht nën akuzë se ka investuar një krim federal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke futur në mënyrë të paligjshme 80 mijë dollarë në fushatën e Obamës, për të siguruar një foto me të. Foto, të cilën më pas shtetasi i huaj numër 2, pra Edi Rama, e përdori në fushatën e zgjedhjeve politike në Shqipëri në vitin 2013”, ka deklaruar Ristani.

Ristani ka akuzuar kryeministrin se vetëm hesht në një kohë kur për “shtetasin e huaj numër 2” kanë shkruar gazetat më të mëdha të globit.

“Gjithëkush e di, gjithëkush e tregon me gisht. Vetëm ai hesht. Ndërkohë që dorasi, Bilal Shehu e ka pranuar krimin dhe pritet të dënohet në vjeshtë deri në 5 vite burg dhe 250 mijë dollarë gjobë, sipas ligjit amerikan, porositësi, shtetasi numër 2, Edi Rama duhet urgjentisht të merret nën hetim nga prokuropria shqiptare për veprat penale të ndikimit të paligjshëm, të fshehjes së pasurisë dhe pastrimit të parave”, ka thënë Ristani.

Ai ka theksuar se, krahas hetimit kryeministri ka detyrimin të përgjigjet para shqiptarëve dhe opinionit publik për një sërë pyetjesh.

“Ku i mori 80 mijë dollarë që pagoi për një foto me Obamën? Kush është burimi i këtyre parave? Kush është donatori? A janë para të ligjshme, apo para që vijnë nga aktivitet kriminal? A është investuar krimi federal me para droge e trafiku? Këto janë pyetje që shtetasi i huaj numër 2, ose Edi Rama, nuk i shmang dot. Sa më shumë e zvarrit transparencën dhe llogaridhënien, aq më shumë vetëdenoncohet si autor i këtij krimi të shumëfishtë”, ka shtuar Ristani.

Top Channel