Venezuelë, eksod urie përtej kufirit me Kolumbinë

11/07/2016 00:00

Nisi javën e kaluar me disa qindra femra, që në mënyrë demonstrative shkelën kufirin e Venezuelës dhe kaluan në Kolumbi për të blerë ushqime dhe medikamente, të cilat mungojnë në vendin e tyre.

Tashmë duket se, edhe autoritetet venezueliane janë dorëzuar dhe hapën për 12 orë kufirin e bllokuar, për të lejuar njerëzit që të bëjnë pazaret në shtetin fqinj, pasi raftet në dyqanet e Venezuelës janë prej kohësh bosh.

Dhjetëra e mijëra venezuelianë u derdhën drejt kufirit dhe kaluan në Kolumbi, duke krijuar pamje të ngjashme me ato të refugjatëve që u largohen konflikteve, por këtë herë eksodi bëhet kundër urisë. Me mijëra nxituan drejt dyqaneve më të afërta për të blerë produktet e munguara, kryesisht ushqime dhe medikamente, për t’u kthyer më pas te familjet e tyre në Venezuelën e dërrmuar nga kriza ekonomike.

Autoritetet kolumbiane thanë se rreth 35 mijë njerëz kaluan kufirin, ndërsa theksuan se pavarësisht justifkimeve të qeverisë së Venezuelës, se kufiri mbyllet si masë kundër trafikut, në anën kolumbiane kjo nuk do të bëhet kurrë dhe banorët e Venezuelës do të jenë gjithnjë të mirëpritur.

Këta të fundit, të intervistuar nga mediet, kishin një përgjigje të përbashkët: nuk iu besonin syve kur shihnin dyqanet e mbushura plot në vendin fqinj, një pamje që në Venezuelë nuk shihet prej muajsh.

Kriza ekonomike në Venezuelë është më e rënda e historisë moderne të vendit. Ndërsa qeveria socialiste e Presidentit Nicolas Maduro fajëson opozitën dhe elitën e biznesit për krizën, duke krijuar skenare filmash, është e qartë se politikat thellësisht të gabuara të ekzekutivit të Hugo Chavezit më parë dhe të Maduros tashmë, janë përgjegjëse për situatën dramatike në vend.

Top Channel