Fitorja e Portugalisë në mediat sportive

11/07/2016 00:00

Zhgënjimi i francezëve për humbjen e finales së Evropianit që e filluan si pretendentët kryesorë shfaqet kudo, edhe në mediat vendase. “Pikëllim”. Ky është titulli i të përditshmes më të madhe sportive “L’Equipe”, që në foton e saj kryesore ka yllin francez Pogba me kokën e mbuluar me fanelë, i cili, ashtu si gjatë gjithë Evropianit, edhe në ndeshjen finale thuajse ishte inekzistent.

“Ka qenë një goditje në zemër”, shkruan kjo gazetë për fitoren e portugezëve dhe më pas është marrë me të gjithë lojtarët, duke i vlerësuar të gjithë me nota negative. Ndërkohë, në të përditshmen “Le Parisien” është në faqen e parë Portugalia me kupën në duar dhe me titullin e madh: “Nuk ishte dita jonë”.

Në të njëjtën linjë gjenden titujt kudo në gazetat franceze. “Le Figaro” mban titullin kryesor “Ëndrra u shpartallua”.

Në Europë, mediat sportive janë më pak të ndikuara emocionalisht. “La Gazzetta dello Sport”, më e madhja italiane, mban titullin “Portobello”, duke iu referuar fitores së Portugalisë me Cristiano Ronaldon në faqen e parë dhe trofeun.

Me Ronaldon në faqen e parë është hapur edhe e përditshmja gjermane “Bild”, me titullin “PokalNaldo”, duke ju referuar kupës dhe në të njëjtën linjë është edhe më e madhja spanjolle “Marca”, që titullin kryesor ja kushton yllit portugez të Realit të Madridit: “Në emër të Kristian-it”.

Top Channel