Nuland takon Bushatin: Mbështetje në proceset demokratizuese

10/07/2016 00:00

Takimin e parë gjatë vizitës së saj 4 orëshe në  Tiranë, Ndihmës Sekretarja amerikane të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland e ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.

Gjatë takimit Ndihmës Sekretarja Nuland shprehu mbështetjen e SHBA-së në proceset demokratizuese, integrimin e mëtejshëm euroatlantik si dhe në prosperitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon. Ajo theksoi se reforma në drejtësi mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së.

Ministri Bushati ndërsa e ka njohur Nuland me zhvillimet më të fundit në vend, ku kryefjala ka qenë reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar e falenderoi për mbështetjen e SHBA-ve në proceset demokratizuese të vendit.

Në këtë kontekst Ministri Bushati është shprehur se: “Këshillat e SHBA-së kanë qenë të çmuara dhe bashkëpunimi i ngushtë i tyre me BE-në, si dhe mbështetja e pakursyer për reformën tregon rëndësinë dhe koherencën e aksionit tonë të përbashkët. Për ne nuk ka as kthim prapa, as hollim të reformës. Ajo duhet të jetë rrënjësore sepse kështu e kërkon mbi 90% e shoqërisë sonë, e kërkon nevoja jonë për zhvillim”.

Duke u ndalur në bashkëpunimin në kuadër të partneritetit strategjik, Ministri Bushati siguroi mbi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar si partner i vendosur përkrah SHBA-së për stabilitetin, paqen e prosperitetin në rajonin tonë e më gjerë, si dhe në drejtim të përballimit të sfidave të sigurisë globale.

Në vazhdën e vendimeve të marra gjatë Samitit të NATO-s në Varshavë, Nuland vlerësoi rritjen e kontributeve të Shqipërisë në kuadër të misioneve të aleancës dhe luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Top Channel