Policia kërkon kamera në rrugën e transportimit të parave

10/07/2016 00:00

Rastet e përsëritura të grabitjeve të parave të bankave gjatë transportimit të tyre, ka bërë që Policia e Shtetit të kërkojë shtimin e elementëve të sigurisë për shoqëritë private të ruajtjes fizike.

Altin Qato, zv.drejtori i Përgjithshëm për Rendin thotë se kjo është parashikuar edhe në ligjin për masat shtesë të sigurisë publike, i cili është rikthyer për shqyrtim në Parlament nga Presidenti Nishani.

“Kemi përcaktuar saktë se cilat janë subjektet me risk dhe masat që duhet të plotësojnë ato. Me miratimin e këtij ligji është e nevojshme që kjo të ndryshojë. Kemi planifikuar 5 nivele, kjo sipas vlerës dhe sasisë së këtyre vlerave monetare. Që të ketë një ndarje, duke filluar nga një blind duke arritur edhe në dy apo blinda për shoqërimin e kësaj vlere monetare që edhe punonjësit që e shoqërojnë të jenë të futur në makina të blinduara dhe jo në makina të thjeshta” , sqaron Zvdrejtor i policisë së shtetit për sigurinë publike Altin Qato.

Sipas Qatos, ligji për masat shtesë do t’i hapë rrugë edhe pajisjes me kamera të akseve ku kalojnë autoblindat e bankave me parà, duke rritur në këtë mënyrë sigurinë. Po ashtu po shikohet mundësia që makinat e transportit të vlerave monetare të pajisen me sistem “GPS” dhe policia të ketë dijeni në kohë reale për vendndodhjen e tyre.

Top Channel