PD, Salianji denoncon trafikun në Vlorë: Lungomarja po zvarritet

10/07/2016 00:00

Sekretari demokrat për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji denoncoi këtë të dielë zvarritjen 3-vjeçare të punimeve të projektit të Lungomares në Vlorë, gjë që ka krijuar një situatë të papërballueshme për qytetarët e Vlorës, por edhe për turizmin në jugun e vendit.

Salianji tha se ky projekt, i bërë sipas kapriços së kryeministrit, ka krijuar një kosto shtesë për qytetarët, një trafik të papërballueshëm, i cili u shtohet vështirësive të tjera në këtë sezon turistik.

“Ka 3 vite e gjysmë që projekti i lungomares i nisur nga kryeministri, projekt imagjinar, nuk po përfundon. Të vetmet pasoja që ka sjellë ky projekt është kjo lungomare dhe ky trafik i papërballueshëm, i cili u shtohet kostos së qytetarëve që vijnë të bëjnë pushimet në bregun e Vlorës dhe më tej. Bizneset e shumta dhe qytetarët kanë shprehur shqetësimin e tyre pranë Partisë Demokratike, ku përveç mungesës së energjisë elektrike gjatë të gjithë sezonit, përveç mungesës së ujit, u është shtuar edhe trafiku i papërballueshëm për shkak të kapriços personale të kryeministrit”, tha Salianji.

Ai u shpreh se Partia Demokratike do të ketë një projekt të ri për këtë rrugë, i cili do të zgjidhë shpejt problemin e trafikut.

“Partia Demokratike garanton qytetarët e Vlorës dhe të të gjithë Shqipërisë që vijnë për pushime në këtë zonë të bukur turistike, që do të bëjë një projekt të ri. Jo një projekt për kapriçot e kryeministrit të radhës, por do të jetë një projekt i konsultuar me qytetarët, që do t’i shërbejë qytetit, qytetarëve shqiptarë dhe një projekt që do të zgjidhë njëherë e mirë problematikën e trafikut, që qytetarët e ndiejnë në mënyrë të përditshme kur vijnë me pushime në qytetin e Vlorës, në Himarë apo në të gjithë bregun e jugut”, u shpreh Salianji.

Top Channel