Orkestra gjigante për rekord “Guinness”

10/07/2016 00:00

Orkestra më e madhe në botë, e përbërë nga profesionistë e amatorë nga Gjermania, por edhe Austria e Holanda, u mblodh në “Commerzbank Arena” të Frankfurtit për një koncert të rrallë.

Plot 7.548 muzikantë performuan në stadiumin gjerman të futbollit, duke vendosur kësisoj një rekord botëror, që kapërcen atë të vitit 2013 në Brisbane të Australisë, që zuri vend në librin e rekordeve “Guinness” me 7.224 muzikantë.

Orkestra gjigante interpretoi pjesë nga simfoni të Beethovenit e Dvorakut, përfshirë “Odën e gëzimit”, si dhe melodi nga muzikali “Starlight Express” dhe një këngë pop të 1976-s nga John Miles, “Music (Was My First Love)”.

Përmes një nisme të tillë, – thotë Jens Illemann, trompist nga Hamburgu e njëkohësisht nismëtar i projektit, – ne deshëm të tregonim sesi mund t’i lidhë muzika njerëzit dhe sesa e rëndësishme është ajo për Gjermaninë.

“Sfida më e madhe për ne si organizatorë ishte t’i bënim muzikantët të luanin të gjithë në të njëjtën kohë. Problemin e zgjidhëm duke vendosur një ekran gjigant këtu në stadium, falë të cilit dirigjenti ynë Wolf Kerschek të mund të shihej nga çdo cep i tij. Përpos kësaj, na lindi edhe ideja e një sistemi shumë të sofistikuar të caktimit të vendeve, e ndarja se ku duheshin vendosur grupet individuale dhe cilat grupe instrumentesh do të viheshin bashkë”, tha Jens Illemann, trompist.

Instituti gjerman i Të Dhënave e verifikoi se koncerti i Frankfurtit e rrëzoi rekordin australian me mbi 300 muzikantë, e tani do të kërkojë konfirmimin e “Guinness”-it për këtë arritje.

Top Channel