Ballack këshillon “Schwein”-in: Largohu me kokën lart nga Gjermania

10/07/2016 00:00

Michael Ballack këshillon Bastian Schweinsteiger t’i thotë lamtumirë kombëtares gjermane. Nëpërmjet një editoriali të publikuar në të përditshmet “Express” dhe “TZ”, Ballack thekson se “për mesfushorin e Manchester United ka ardhur koha të tërhiqet nga kombëarja e Gjermanisë”.

“Schweinsteiger fitoi Botërorin e vitit 2014 dhe i ka dhënë shumë futbollit gjerman. Besoj se mund të largohet me kokën lart dhe nga porta kryesore e Gjermanisë. Mendoj se për të ka ardhur koha që t’i japë lamtumirën përfaqësueses”, shkruan Ballack në artikullin e tij.

Schweinsteiger nuk përjetoi një sezon të mirë, pasi për shumë kohë pati probleme me dëmtimet, ndaj dhe Ballack e këshillon atë që të mendohet mirë, pasi ai nuk dëshiron ta shohë kapitenin e kombëtares në një pozitë të tillë, ku të mund të dyshohet për statusin e tij te “panzerat”.

Michael Ballack u aktivizua në 98 ndeshje me Gjermaninë, më të cilën u shpall nënkampion në Botërorin 2002 dhe Europianin 2008, ndërkohë që në vitin 2006 u rendit në vendin e tretë. Në Botërorin 2010 mungoi për arsye dëmtimi, e që nga ai moment nuk u grumbullua më me kombëtaren. U tërhoq nga futbolli në vitin 2012, pasi luante me fanelën e Bayer Leverkusen.

Top Channel