Trajneri Coleman qëndron tek Uellsi deri në Botërorin “Rusi 2018”

10/07/2016 00:00

Chris Coleman do të qëndrojë në pankinën e Uellsit deri në përfundim të Botërorit të vitit 2018 në Rusi, pavarësisht rezultateve që do të ketë skuadra e tij gjatë dy viteve të ardhshme. Ky lajm është konfirmuar nga vet tekniku 46-vjeçar.

“Jam i sigurtë se dy vitet e ardhshme do të përbëjnë fundin e ciklit tim në krye të Uellsit, nuk ka rëndësi nëse kualifikohemi në Botëror apo jo”, ishte deklatrata e Coleman. “Do të jem në pankinën e Uellsit për 6-7 vite gjithsej, që është një kohë shumë e gjatë”.

Chris Coleman e mori detyrën e trajnerit të Uellsit në vitin 2012, duke e kualifikuar këtë skuadër për herë të parë në fazën finale të një Europiani, ku arriti madje deri në gjysmëfinale, një arritje historike kjo për ta.

Coleman mohoi ndërkohë zërat se ai po studion disa oferta, apo se po kërkon një kontratë me përfitime më të mëdha financiare.

“Këto zëra nuk bëjnë mirë, – tha Coleman. – E kam firmosur tashmë një kontratë të mirë dhe jam shumë i kënaqur që do të drejtoj këtë skuadër në kualifikueset e Kupës së Botës 2018”.

Në fazën e kualifikueseve të Botërorit të Rusisë, Uellsi është në një grup me Irlandën, Austrinë, Serbinë, Gjeorgjinë dhe Moldavinë.

Top Channel