Në Kosovë edhe Carpenter, flitet për FSK-në dhe situatën e sigurisë

10/07/2016 00:00

Veç vizitës së ndihmëssekretares amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, e cila gjatë turit të saj ballkanik ka programuar edhe një ndalesë në Prishtinë, Kosovën e viziton këtë të dielë edhe zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Michael Carpenter.

Carpenter pritet të vizitojë Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku do të takohet me ministrin Haki Demolli, si dhe komandantin e FSK-së, Rrahman Ramën.

Ky takim pritet të zhvillohet në kuadër të diskutimeve dypalëshe në fushën e mbrojtjes me SHBA-të, ku në fokus do të jetë situata ndërkombëtare e sigurisë dhe kontributi i Kosovës në luftën kundër terrorizmit.

Demolli dhe Carpenter pritet të japin edhe një deklaratë të përbashkët për media pas takimit.

Top Channel