Rikthehen “Ndjekësit e fantazmave”

10/07/2016 00:00

Është ndoshta një prej komedive më të bukura e të dashura nga publiku në të gjitha kohërat. Ndaj dhe nuk është çudi, që rikthimi i “Ghostbuster” apo “Ndjekësit e fantazmave”, të pritej me entuziazëm të madh.

Por vendimi i producentëve për të zëvendësuar 4 aktorët aq të adhuruar të tij, si Bill Murray, Dan Aycroyd, Harold Ramis dhe Ernie Hudson; me protagoniste femra, si Kristen Wiig, Mellisa McCarthy, Leslie Jones e Kate McKinnon; ka tërhequr jo pak kritika.

Shumë fansa të filmit nuk e përtypin dot idenë e një ndryshimi kaq drastik. Njeriu që qëndron pas dy filmave origjinalë, Ivan Reitman thotë se mendimin e një rikthimi të krijimit legjendar në ekranin e madh e ka përpunuar prej vitesh.

“As që e kam diskutuar ndonjëherë çështjen e gjinisë, sepse filmi me të cilin po punoja, deri kur fatkeqësisht Harold Ramis ndërroi jetë, i kishte të përzierë protagonistët. Domethënë kishte dhe meshkuj dhe femra. Ishte si të thuash një kalim pishtari, ndaj m’u duk me vend pastaj t’i ndërroja krejtësisht”, tha Ivan Reitman, producent.

Regjisori Paul Feig është tepër i kënaqur nga vendimi. Jam i bindur se njerëzit do të kënaqen, – u shpreh ai, – do të shkrihen së qeshuri. E morëm me shumë pasion këtë projekt dhe publikut i them: na jepni një mundësi e do ta shihni se ç’kemi bërë.

Premiera e filmit tashmë me katërshe aktoresh femra, do të jetë më 22 korrik. Varianti origjinal i realizuar në vitin 1984 solli gati 300 milionë dollarë fitime, e pak pas tij doli dhe pjesa e dytë, “Ghostbusters II”.

Top Channel