Spanjë, vritet matadori i parë gjatë këtij shekulli nga demat

10/07/2016 00:00

Viktor Barrio, 29 vjeç, u bë i pari toreador që vdes këtë shekull në një arenë të Spanjës. Matadorit profesionist, demi i çau kraharorin, ndërsa dyluftimi në qytetin lindor Teruel transmetohej “live” në televizion.

Pamjet filmike tregojnë sesi demi e hedh Barrion në ajër, përpara se ta shponte në anën e djathtë të trupit e ta përplaste dhunshëm në tokë.

Po të shtunën, një 28-vjeçar vdiq nga plagët e marra prej brirëve të njërit prej kafshëve të lëshuara nëpër rrugë gjatë vrapimit të famshëm të demave në fshatin Pedreguer, pranë Valencias.

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy përcolli përmes “Twitter”-it ngushëllimet e tij për Barrion e konsideruar si një i ri mjaft premtues. Matadori i fundit që ka vdekur në një arenë demash në Spanjë ishte Jose Cubero në vitin 1985.

Shekullin e kaluar, sipas gazetës “El Pais”, demat kanë vrarë 134 vetë, 33 prej të cilëve toreadorë. Rreth 2.000 dyluftime me dema mbahen çdo vit në këtë vend, por numri i tyre po vjen në rënie. Në vitin 2010, Katalunja u bë rajoni i dytë spanjoll pas ishujve Kanarie, që e ndaloi këtë traditë.

Kundërshtarët e saj i përshkruajnë betejat e përgjakshme me kafshët në fjalë si barbare, ndërsa adhuruesit e tyre, përfshirë këtu edhe vet kryeministrin Rajoy, argumentojnë se dyluftimet janë një lloj arti i lashtë me rrënjët e ngulura thellë në historinë kombëtare.

Top Channel