Dallas, rikthehen shqetësimet e sigurisë pas kërcënimeve anonime

10/07/2016 00:00

Dy ditë pas vrasjes së 5 efektivëve, shqetësimet e sigurisë u rikthyen në Dallas me kërcënime anonime në qendër të të cilave ishin zyrat qendrore të Policisë. Por pas kontrolleve për një person të dyshuar, në parkingun aty pranë, nuk u gjet askush.

Pjesëtare të ekipeve speciale “SWAT” ishin zhvendosur më herët në ndërtesën kryesore së bashku me një autoblind. Drejtuesit e policisë u kërkuan medieve të rreshtin transmetimet “live” nga përreth ndërtesës, për të mos cënuar kështu sigurinë e efektivëve.

Autori i vrasjes së 5 policëve, Micah Johnson, një veteran ushtrie pa precedentë penalë, që kishte shërbyer dhe në Irak, mbështeste grupet militante me ngjyrë të cilët inkurajonin dhunën ndaj policisë.

Negociatorëve, ai iu tha se donte të vriste njerëz të bardhë, e sidomos policë të bardhë, sepse ishte i zemëruar nga vdekjet e fundit të afro-amerikanëve nga forcat e rendit. Protesta, ku u qëlluan nga snajperë 5 policët po mbahej pikërisht për vrasjen e Philando Castiles në Minnesota dhe Alton Sterling në Louisiana.

Tensionet në “Baton Rouge” kanë vazhduar dhe, një ditë më parë, anëtarë të armatosur të një grupi të quajtur “Festa e panterave të zeza” u përballën me forcat e rendit, çfarë solli disa arrestime.

Me qindra protestues mbyllën sakaq për rreth 2 orë autostradën ndërshtetërore 94, që lidh Minneapolis dhe St. Paul. Mëngjesin e së shtunës në Houston të Teksasit, policia qëlloi për vdekje një burrë me ngjyrë që – siç thanë efektivët, – iu kishte drejtuar një armë, ndërsa të premten një person me ngjyrë, Antonio Taylor, qëlloi policin e bardhë të trafikut në St. Louis, Mike Flamion, duke e plagosur rëndë.

Top Channel