SHBA, 74 të arrestuar në Nju Jork; në Dallas homazhe për policët e vrarë

09/07/2016 00:00

Jo të gjitha tubimet e shumta në Shtetet e Bashkuara për të protestuar kundër vrasjes së dy të rinjve me ngjyrë nga policia janë mbyllur në mënyrë paqësore.

Në Roçester, në shtetin e Nju Jorkut, policia ka arrestuar për trazira 74 persona, mes të cilëve dy reporterë afro-amerikanë, të cilëve më pas kryebashkiaku dhe policia u ka kërkuar falje.

Tre arrestime të tjera janë kryer ndërkohë në Feniks, ku policia ka përdorur spraj me piper dhe ka përdorur plumba jo vdekjeprurës për të penguar që një tubim i lëvizjes “Jetët me Ngjyrë Kanë Vlerë” të bllokonte një autostradë.

Ndërkohë, në Dallas njerëz të shumtë janë mbledhur përpara memorialit të përkohshëm përpara drejtorisë së përgjithshme të policisë, në homazhe për 5 agjentët e vrarë nga një snajper me ngjyrë që dontë të hakmerrej për vdekjen e dy afro-amerikanëve në ditët e fundit nga forcat e rendit.

Njerëz kanë ardhur jo vetëm nga qyteti, por edhe nga shumë lokalitete të tjera të shtetit, duke vendosur lule, tullumbace me yje e viza dhe duke shkruar dedikime në një makinë të policisë, që simbolizon sakrificën e agjentëve.

Top Channel