Makina përplas motorin, 1 viktimë në Delvinë; në Shkodër 2 të plagosur

09/07/2016 00:00

Një aksident rrugor ka ndodhur rreth orës 20:00 të ditës së sotme në Delvinë, me pasojë vdekjen e një personi.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave ngjarja ka ndodhur në aksin Ura e Gjadrit-Delvinë.

Automjeti tip “Audi”, me targë të huaj “MNTH68” dhe i drejtuar nga shtetasi Igli Seiti është përplasur me një motoçikletë.

Për pasojë, saktësojnë burimet, ka gjetur vdekjen drejtuesi i motoçikletës, me targë “AAB 739”, Bledar Pula, 27 vjeç dhe me banim në Delvinë.

Ndërkohë, uniformat blu të mbërritura në vendin e ngjarjes kanë shoqëruar drejtuesin e automjetit, 23-vjeçarin Seiti, për të cilin po kryhen veprimet proceduriale.

Në të njëjtën mënyrë kanë mbetur të plagosur rëndë dy bashkëshortë, sërish mbrëmjen e sotme në qytetin e Shkodrës.

Autoritetet lokale njoftojnë se një automjet tip “Benz” me targë “AA 377 JX” ka përplasur motorin ku udhëtonin shtetasit me inicialet F.M dhe N.M, nga Velipoja. Sipas burimeve, dy personat në fjalë kanë marrë plagë të rënda që rrezikojnë seriozisht jetën e tyre.

Drejtuesi i automjetit ndërkohë, shtetasi Kastriot Arapi, është larguar nga vendi i ngjarjes por është bllokuar 10 km më tej nga policia, në një postobllok të ngritur në fshatin Trush.

Top Channel