Motive mesdhetare plot ngjyra, çadra, karrike, kafene të mbushura me njerëz që shijojnë bukuritë e peisazheve bregdetare, por edhe shumë të tjera, piktori Andi Spahija i sjell në ekspozitën e tij, si një ftesë për të vizituar Mesdheun këtë sezon veror.

“Titullimi i ekspozitës Mediteraneo u bë në saj të identifikimit të disa ngjyrave shumë të veçanta për rajonin, por dhe elementëve kryesorë si qielli, dielli, deti, lulet por dhe njerëzit. Këta elementë së bashku krijojnë një atmosferë mesdhetare që mund ta gjesh në çdo vend të Mesdheut”, deklaron Përparim Kalo, drejtor i ekspozitës.

Një artist ka edhe fuqinë të kritikojë përmes telajos, veçanërisht zhvillimet urbane, por piktori Andi Spahija sjell në 26 kuadrot e tij gjithçka pozitive të Mesdheut.

“Andi ka kapur vetëm anët pozitive të relievit, ose të atmosferës mesdhetare. Ka shumë kritika nga artistë të ndryshëm për masakrën urbane e fenomene të ndryshme negative, por ai ka marrë gjërat pozitive”, thotë Kalo.

Ekspozita e piktorit Andi Spahija do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 10 korrik.

Top Channel