Incident SHBA-Rusi, dy palët dëbojnë diplomatët nga vendi

09/07/2016 00:00

Rusia ka dëbuar dy diplomatë amerikanë nga Moska, pak pasi Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar se kishte urdhëruar dy anëtarë të stafit diplomatik rus të linin Uashingtonin.

Ditën e premte, Departamenti i Shtetit deklaroi se urdhëri i tij kishte ardhur pasi një polic rus kishte sulmuar një diplomat amerikan në pranë ambasadës së SHBA në Moskë.

Diplomati në fjalë tashmë është dëbuar nga kryeqyteti rus, bashkë me një tjetër punonjës të ambasadës. Kremlini i akuzoi ata se ishin agjentë të CIA-s.

Zv.ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov deklaroi se dy anëtarët e stafit diplomatik amerikan ishin përzënë për “aktivitete që nuk përputhen me statusin e tyre diplomatik”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby deklaroi ndërkohë se dy diplomatët rusë, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur, ishin urdhëruar që të largoheshin që më 17 qershor. Pra, thuajse një muaj para se polici rus të sulmonte dy diplomatët amerikanë në Moskë.

“Polici rus nuk u provokua, ndaj dhe veprimi i tij vuri në rrezik sigurinë e funksionarit tonë. Deklarata e rusëve se polici po mbronte ambasadën tonë nga një individ i paidentifikuar nuk është e vërtetë”, tha Kirby.

Pala ruse ka deklaruar më herët gjatë javës se, zyrtari amerikan ishte një agjent i CIA-s që kishte refuzuar të jepte dokumentin e identifikimit dhe kishte goditur policin me grusht në fytyrë.

Top Channel