Samiti i NATO-s, aleanca mbështetje për Afganistanin

09/07/2016 00:00

Afganistani do të marrë 1 miliardë dollarë ndihmë dhe mbështetje ushtarake nga NATO, e cila do të vazhdojë të qëndrojë në vendin kaotik, por, që sipas sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë përparime në çështje të sigurisë dhe të reformave, por terrorizmi është arsyeja e vërtetë e vazhdimit të asistencës së Aleancës ndaj Kabulit.

“Ne nuk do të lejojmë që Afganistani të kthehet në një tokë të sigurt për terroristët. Së pari, ramë dakord për të vijuar misionin tonë “mbështetje vendimtare” përtej vitit 2016. Dhe unë për këtë falenderoj presidentin Obama, gjithashtu përgëzoj edhe shtete të tjera si Gjermania, Italia e Turqia, të gjithë aleatët dhe partnerët e tjerë që kontribuojnë në misionin e përbashkët. Një nga arritjet më të mëdha të këtij takimi është garantimi i një fondi prej 1 miliard dollarësh për Afganistanin”, u shpreh Stoltenberg.

Sigurisht, fokusi i këtij samiti ishte situata e komplikuar e sigurisë në të gjithë globin dhe roli i shumëfishuar ushtarak i Rusisë, situata në Krime, por edhe Siria, kanë vënë Perëndimin dhe veçanërisht NATO-n në një situatë të sikletshme prej më shumë se një viti. Por, tashmë e rëndësime është se aleatët e Atlantikut të Verior kanë identifikuar problemin. Ai është Moska.

Katër batalione, 3 në vendet e Baltikut dhe një në Poloni, si dhe rindërtimi i një batalioni rumun, në një forcë ndërkombëtare të NATO-s, në kufirin me Rusinë, ngritja e një sistemi mbrojtës në Turqi, japin mesazhin e qartë te Putin, se NATO tashmë ka kthyer të gjithë vëmendjen dhe ndoshta edhe armët ndaj tij dhe se çdo lëvizje ushtarake tjetër ruse jashtë dialogut me NATO-n do të konsiderohet si kërcënim.

Pavarësisht se Rusia i quajti qesharake deklarimet e liderëve botërorë në Varshavë, për kërcënim ushtarak të Moskës, duket se askush tashmë nuk është gati ti pranojë si të tilla lëvizjet e Putinit, si kaosi që ka sjellë në Siri apo edhe kërcënimet e Moskës ndaj vendeve Baltike.

Ky ishte një Samit, ku vendet e NATO-s folën më pak, por vendimmarrja ishte më e plotë. Ashtu siç tha edhe Stoltenberg se asnjë vend i aleancës nuk mund të preket dhe nëse kjo ndodh të gjitha vendet e tjera janë të prekura. Një farë garancie më shumë për të gjitha vendet anëtare të NATO-s, përfshirë edhe Shqipërinë.

Bota pas këtij samiti nuk është më e sigurt se sa ishte dje, por së paku kemi parë të gjithë se NATO më në fund ka vendos të thotë fjalën e saj.

Top Channel