Kumanovë, në pritje të drejtësisë; urrejtja pezull pas vrasjes së 4-vjeçarit

09/07/2016 00:00

Pas ngjarjes që i kushtoi jetën një 4-vjeçari shqiptar, i cili pasoi një konflikt banal, të nisur vetëm për radhën në spital, në Kumanovë kërkohet vetëm drejtësi.

Në këto rrugica të Kumanovës, Almiri kaloi 4 vite të jetës së tij të shkurtër, që u ndërpre ende pa nisur mirë, nga maqedonasi Boban Ilic. Sedat Aliun, babain e 4-vjeçarit, tashme ka vetëm një mesazh: “Kerkoj prej institucioneve dhe kam besim që drejtësia të dalë në shesh dhe personi i cili e ka bërë këtë vepër, të marrë dënimin e merituar, për shkakun që nesër mos të përsëriten këto raste, se sot ka ndodhur tek unë, nesër mund të ndodhë diku tjetër”.

Në qytet edhe pse jeta vijon normalisht, sërish ndihet tensioni dhe mllefi për atë ngjarje.

“Maqedonasi ka pasur faj, atë duhet ta mbyllin në burg të përjetshëm”, shprehet qytetari shqiptar.

TCH: A ka ndikuar kjo ngjarje në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve?

Qytetari: Njëherë momentalisht nuk ka asgjë. Nuk e di, ka apo jo vëllai.

Banorët maqedonas të Kumanovës, e cilësojnë një rast të izoluar, të cilin veçse e dënojnë, shprehen se nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes etnive.

“Asnjëherë nuk kemi pas probleme. Ja këtu në këto ulëse mund të gjeni ulur bashkë me ne edhe shqiptarë. Ndonjëherë ndodhin probleme që shkaktohen nga disa të ardhur nga jashtë, por ne që jetojmë këtu nuk i bëjmë problem njëri-tjetrit. Kishte para disa ditëve demonstrata, por nuk kishte dhunë. A mund të kemi problem unë dhe ti nëse tërë jetën kemi qenë miq. Nuk duhet të lejojmë që këtë bashkëjetesë ta prish një budalla”, shprehet një qytetar maqedonas.

Për opinionistin shqiptar Albert Musliu qëndrimi që do të mbajë gjykata, do të jetë dhe vendimtar për stabilitetin e Kumanovës dhe jo vetëm.

“Besoj se ato që menaxhojnë një pjesë të gjyqësorit, do të jenë shumë më të kujdesshëm që mos të ndikojnë në këtë ngjarje se këtu rezultati mund të jetë katastrofal. Është tjetër punë se ne kemi probleme me gjyqësorin, kur targeti janë lidershipi i partisë më të madhe në pushtet. Ato tentojnë të bëjnë çdo ndërhyrje ndaj prokurores speciale, e cila është e zgjedhur prej një viti. Ky rast, besoj se do të jenë shumë më të kujdesshëm që mos të krijojnë ndjenja se drejtësia nuk vepron për vrasësin. Por nëse atë e bëjnë, atëherë përgjegjësinë do ta mbajnë ato dhe gjithsesi do të ketë reaksion”, shprehet Albert Musliu, opinionist.

Për Ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka, duhet të shmangen ngjyresat politike që kërkohen t’i jepen kësaj ngjarje, pasi sipas tij, askush nuk ka nevojë për përplasje të reja me karakter ndëretnik, por ngjarja duhet t’i lihet ne dore drejtësisë.

“Maqedonia është një vend ku zbatohet ligji në përgjithësi, aq më tepër në rastet e aksidenteve të tilla me përmasa tragjike. Unë shpreson që siç është vepruar dhe në të kaluarën, autoritetet ligjzbatuese këtu do ta çojnë deri në fund investigimin ndaj këtij rasti tragjik dhe që fajtori do të marrë ndëshkimin që meriton”, thotë Fatos Reka, ambasador i Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë.

Top Channel kontaktoi dhe me ministrin e Drejtësisë së Maqedonisë, Valdet Xhaferi, stafi i të cilit në momentet e fundit anuloi intervistën me argumentimin se ministri ishte i zënë.

Pak ditë pasi humbi jetën në mënyrë tragjike, 4-vjeçari Almir Aliu, situata në Kumanovë duket e qetë. Por, sërish ky qytet vijon të mbetet një “fuçi baroti”.

Top Channel