Trump ironizon: Mbase nuk e pranoj presidencën

09/06/2016 00:00

Donald Trump-it i pëlqen të jetë i paparashikueshëm dhe thotë se kjo është një strategji e mirë në çdo negociatë.

Po tashmë kandidati republikan po bën shaka edhe për spekulimin më të fundit politik se një fitore e zgjedhjeve presidenciale në nëntor, nuk do të thotë që ai do të betohet si president.

“Do t’jua them si ndihem për këtë kur të ndodhë”, deklaroi Trump për “Neë York Times”, pasi u pyet për skenarin se mund të fitojë zgjedhjet dhe të vendosë të mos bëhet president. Komenti i Trump, në traditën e tij më të mirë për të bërë publikun që të mendohet, ishte një shaka, por sidoqoftë jo hera e parë që ai ka aluduar për braktisjen e garës drejt shtëpisë së bardhë.

Kohë më parë, kur miliaderi Mark Kuban tha se Trump e lë garën për 5 miliard dollarë, biznesmeni njujorkez bëri shaka duke thënë se kjo shifër është diçka që të fut në mendime.

Kritikët e fushatës së Trumpit sugjerojnë se ai thjesht po garon për të reklamuar biznesin e tij, por nuk është i interesuar të bëhet president.

Të tjerë thonë se atij i intereson fitorja vetëm për të mposhtur Hilary Clinton dhe nuk ka ndonjë dëshirë të madhe të behet president. Por, Trump i ka hedhur poshtë sugjerime të tilla duke thënë se bizneset e tij nuk kanë përfituar asgjë prej fushatës elektorale dhe se ai vërtet ka si qëllim të kthejë Amerikën tek madhështia e saj e dikurshme.

Top Channel