Sadiku në pritje të ofertave, Zyrihu e thërret në stërvitje

09/07/2016 00:00

Të hënën futbollistët e Zyrihut do të nisin përgatitjet për sezonin e ri, ku duhet të jetë i pranishëm edhe Armando Sadiku, edhe pse ishte ai shkaktari kryesor i rënies nga kategoria e klubit që zotëron kartonin e tij.

Skuadra e sapo rënë nga Superliga zvicerane zotëron kartonin e sulmuesit shqiptar, që gjashtë muajt e fundit luajti në formë huazimi të Vaduzi.

Për ironi të fatit, falë golave të 25-vjecarit kuqezi skuadra nga Lihtenshtejni mbijetoi në elitën e futbollit zviceran në dëm të Zyrihut, që zbriti në Challenge League.

Gabimi që bënë drejtuesit e Zyrihut u konfirmua edhe në “Euro 2016”, me Sadikun që shënoi golin historik që i dha fitoren Shqipërisë ndaj Rumanisë.

Vetë lojtari nuk ka ndërmend të qëndrojë te kjo skuadër, madje është shprehur hapur se ëndrra e tij është të luajë në Bundesligë ose në Serinë A, por presidenti Ancillo Capena këmbëngul se sulmuesi shqiptar është nën kontratë me Zyrihun deri në vitin 2018 dhe mund të largohet vetëm nëse për kartonin e tij paguajnë 9 milionë franga zvicerane.

Vështirë se mund të gjendet një klub që ofron një shumë kaq të lartë për Sadikun, kështu që pritet lufta në distanca të ndizet edhe më shumë gjatë ditëve në vijim.

Në kulmin e formës së tij, elbasanasi as që e imagjinon të luajë në Challenge League, por edhe Zyrihu nuk bën prapa. Duket se cështja “Sadiku” do të kthehet në telenovelë në këto ditë të nxehta vere.

Top Channel