Murray-Raonic, finalja e Wimbledon; eliminohet Federer

08/07/2016 00:00

Ish-numri 1 i botës në tenis, Roger Federer, është eliminuar në gjysmëfinalen e 40 të karrierës së tij në grand slam nga Milos Raonic. Kanadezi me origjinë malazeze do të ndeshet në finalen e madhe të Wimbledon me britanikun Murray.

Federer e pati gjithçka në dorë, por shpërdoroi pafundësisht në setin e katërt dhe të pestë. Zvicerani e nisi me gazin në minimum duke lëshuar terren pasi u mund me rezultatin 6-3, por në të dytin mjaftoi qetësia në tie-break e Federer, i cili kaloi 7-3. Në setin e tretë, një lojë me topat e kundërshtarit bëri diferencën në favor të FedEx që triumfoi 6-4, por kur dukej se finalja ishte një çështje e mbyllur për Federer, ai lëshoi terren në fundin e setit të katërt, duke humbur një lojë me topat e tij edhe pse kryesonte bindshëm 40-0.

Ky moment dobësie i dha kurajo tenistit me origjinë malazeze, i cili barazoi dhe më pas mbylli gjithçka me sukses në setin e fundit 6-3. Kjo është fitorja e dytë e Raonic ndaj Federer dhe finalja e parë në karrierë për numrin 7 të botës.

Për Murray ishte thjesht një shëtitje ndaj Brdych në tre sete identikë 6-3. Numri 2 i botës i ka fituar 5 përballjet e fundit ndaj Raonic dhe për britanikun kjo është finalja e tretë në Wimbledon. Vetëm tre javë më parë, Raonic dhe Murray u ndeshën në turneun e Queens po në Londër ku Murray fitoi në finale 2-1 por të dielën ata sfidojnë njëri tjetrin për titullin e tretë të madh sezonal dhe historia ndryshon.

Top Channel