Lilaj e Latifi te Kukësi për Europa League

08/07/2016 00:00

Sabien Lilaj dhe Liridon Latifi ishin dy nga futbollistët më të mirë të Skënderbeut gjatë sezonit të kaluar në kampionat, por edhe në kupat e Europës, por pas dënimit të korçarëve nga UEFA, është bërë një lëvizje surprizë dhe dy lojtarët janë huazuar te Kukësi që do të sfidojnë Austrinë e Vjenës në raundin pasardhës të Europa League.

Presidenti Ardjan Takaj ka rënë dakord me homologun e tij Gjici, që dy nga pikat më të forta të kampionëve në fuqi të Superiores, të japin kontribut te Kukësi me synim eliminim e skuadrës austriake.

Marrëveshje do të jetë e vlefshme vetëm për aventurën europiane të Kukësit, pasi të dy lojtarët sezonin e ardhshëm do të vazhdojnë të jenë pjesë e Skënderbeut. Latifi dhe Lilaj do të jenë përforcimet e vetme për Austrinë e Vjenës, pasi UEFA nuk lejon federimin e më shumë se dy emrave të rinj pas çdo raundi kualifikues.

Tashmë trajneri Hasan Lika do të ketë në dispozicion dy lojtarë shumë cilësore dhe me eksperiencë në Kupat e Europës, çka është shumë e rëndësishme në përballjet ndërkombëtare. Paraqitja e tyre e mirë në radhët e Kukësit, do t’ i vlente edhe Skënderbeut, pasi do të rriste vlerën e futbollistëve në merkato.

Top Channel